Saturday, February 4, 2012

Milito: Më parë jashtë, tani gol

Katër gola ndaj Palermos dhe bëhen nëntë gola në gjashtë ndeshjet e fundit të kampionatit për sulmuesin e Interit, Diego Milito.

“E thoja kur gjërat nuk shkonin mirë dhe po e them sërish tani: janë momente që i kalojnë të gjithë sulmuesit në botë. Duhet të qëndrosh i qetë dhe të vazhdosh punën. Unë luaj siç kam bërë gjithmonë, por ata topa që më parë përfundonin jashtë apo në traversë tashmë përfundojnë në rrjetë”, shprehet Milito për ‘Inter Channel’.

Më pas, argjentinasi kthehet të flasë për pokerin e golave ndaj Palermos në ndeshjen që zikaltërit barazuan 4-4 në San Siro.

“Të shënosh 4 gola në një takim është shumë e vështirë, janë ndeshje ku gjithçka të del mirë. Gjithsesi, rezultati nuk ishte i mirë për skuadrën dhe më vjen shumë keq sepse të bësh 4 gola dhe sërish të mos fitosh…”, shtoi Milito.

Mourinho drejt Chelsea, tërheq me vete dhe Ibrahimoviç

Rrugët e Jose Mourinho me skuadrën e Chelsea-t mund të ribashkohen, por gjithashtu edhe ato mes portugezit dhe Zlatan Ibrahimoviçit. Aktualisht trajneri nga Setubali udhëheq dhe kryeson me Realin e Madridit në kampionatin spanjoll, por mesa duket i gjithë ambienti madrilen (klubi dhe tifozeria) nuk gëzojnë më të njëjtën simpati për “Special One”.

Ironia e vazhdueshme e Mourinho po shndërrohet shumë shpejt në një antipati të madhe, e cila jo vetëm po i përçan futbollistët e Realit, por çdo ditë e më shumë po i largon tifozët nga stadiumi. Duke kuptuar që situata është rënduar ndjeshëm, portugezi ka bërë gati planin e radhës për të “rrëshqitur” diku tjetër dhe destinacioni i preferuar, ashtu siç nuk e ka fshehur kurrë, është Chelsea i Roman Abramoviç.

Këtë fakt e ka pranuar në një intervistë të djeshme për anglezen “The Sun” një burim i afërt i trajnerit portugez, i cili ka dashur të ruajë anonimatin e tij. Sipas tij, Mourinho tashmë ka pasur edhe kontaktet e para me miliarderin rus të skuadrës londineze, e cila gjithashtu nuk po kalon një sezon pozitiv dhe është gjithmonë e më shumë e lodhur nga sozia e tij, Andre Villas Boas. Pas shumë shpenzimeve dhe emrash të ndryshëm në vitet e fundit, Roman Abramoviç po mendon të kthehet në origjinë, të ribashkohet me Jose Mourinho, ai që riktheu Blutë e Londrës në elitë dhe te titulli i Premier League pas 50 vitesh.

Me pak fjalë, pas 4 vitesh e gjysmë Special One dhe Chelsea pritet të përqafojnë njëritjetrin dhe të ndërtojnë nga e para një skuadër fituese, e cila energjitë e saj të fundit i shpenzoi nën drejtimin e Carlo Ancelotti. Por, trajneri aktual i Realit nuk ka ndërmend të bëjë një rikthim dosido, por si gjithmonë të zhurmshëm, të bujshëm.

Ylli i parë që ai kërkon t’i shtojë kësaj skuadre, është as më shumë e as më pak se Zlatan Ibrahimoviç. Po, pikërisht kështu, sulmuesi gjigand i Milanit, i cili ka nisur të bëjë kapriçot e radhës në Milano, pas humbjes në kampionat kundër Lazios

Plas te Lazio, sherr mes Reja-Tare dhe Lotito

Antonio Candreva dhe Emiliano Alfaro: këta janë lojtarët e vetëm që kanë ardhur te Lazio gjatë merkatos së janarit. Është e vështirë të thuash që një trajner të mbetet i kënaqur me një fushatë të tillë blerjesh. E njëjta gjë vlen edhe për Edi Rejën, i cili është ankuar publikisht për manovrat e kursimit nga ana e shoqërisë.

Ndoshta vëmendja e drejtuesve është përqendruar shumë tek objektivat, për të cilat ishin thuajse të sigurt që nuk do realizoheshin. Lotito dhe Tare kanë provuar që të merrnin Hondën, Krasiç e Nilmar, por si përfundim nuk ia arritën qëllimit.

Reja, nga ana tjetër, ka kërkuar vetëm 2 lojtarë, një sulmues e një mesfushor, dhe me të drejtë, pas largimit të Cisse e Skulit. Kaq ka mjaftuar që të fillojnë krisjet brenda shoqërisë bardhekaltër dhe të përhapen thashetheme sipas të cilave Reja është drejt largimit në fund të sezonit.

Menaxheri i Kloses, Aleksander Shut, ka saktësuar se nuk ka asnjë krisje mes sulmuesit gjerman dhe shoqërisë së Lotitos: “Mes Kloses dhe Tares nuk ka pasur asnjë grindje, janë shpifje të tëra. Miroslav nuk ka luajtur për shkak të shqetësimit në këmbë”, deklaroi ai.

Australi, Berisha shënon golin e 12-të sezonal

Brisbane Roar kanë ruajtur shpresat për të mbetur në garën për titullin kampion në Australi, pasi ka mundur 2-0 kryesuesit e Mariners, në fushën e këtij të fundit. Protagonist i takimit ka qenë përsëri kosovari Besart Berisha, i kthyer nga pezullimi 1-javor, që i dha Federata Australiane.

Sulmuesi shqiptar ka qenë autori i golit të dytë për skuadrën e tij, duke e ndihmuar që të marrë suksesin, i cili e mban Birsbane Roar në vendin e tretë të kampionatit. Pas momentit të vështirë të javëve të fundit, Berisha e ka festuar golin duke përqafuar trajneri Ante Postecoglu.

Ky i fundit e ka mbrojtur atë gjatë kësaj periudhe dhe ka deklaruar shpesh se futbollisti shqiptar është sulmuesi më i mirë, që ka stërvitur ndonjëherë, ndërsa të gjitha shanset që ka ekipi për të rifituar titullin varen nga forma e ish-futbollistit të kombëares shqiptare.

Për Berishën, ky ishte goli i 12-të i këtij kampionati, duke vazhduar të qëndrojë i vetëm në kryesimin e renditjes së golashënuesve. Ndonëse ai po kalon një formë të shkëlqyer këtë sezon, në Kampionatin Australian, është lënë në harresë nga FSHF-ja, e cila prej kohësh nuk e merr në konsideratë grumbullimin e tij me fanellën kuqezi.

Barcelona-Sociedad, acari "armiku" i katalanasve

Barcelona do të ketë një kundërshtar më shumë për të mundur në ndeshjen kundër Real Sociedadit, të ftohtin siberian.

Sot në “Camp Nou”, sipas një zyrtari katalanas, në orën 22:00 pitet të regjistrohet temperatura më e ulët e këtyre 100 viteve të fundit, -4 gradë celsius. Kjo është diçka e pazakontë për rajonin e Katalunjës dhe Spanjën, e cila është një nga shtetet me më shumë ditë me diell se çdo vend tjetër në Evropë.

Në faqen e klubit është publikuar një listë me këshilla për të mposhtur të ftohtin për tifozët që do jenë në shkallët e stadiumit. Në fakt, problemet për skuadrën e Pep Guardiolës kanë nisur prej 3 ditësh, ndërsa futbollistët janë stërvitur të gjithë me maska.

Bari i stadiumit është mbrojtur me ngrohës artificialë, por në vitet e shkuar tapeti i “Camp Nou”-t ka pasur probleme. Madje, nuk ka kaluar shumë kohë kur ai u ndërrua pasi degradoi prej një vale të ftohti që përfshiu Katalunjnën.

Veç Andres Iniestës dhe Pedros të konfirmuar jashtë, Barcelonës i rikthehet Aleksis Sanchez, i cili tashmë nuk ndjen më dhimbje në shpatull. Me Realin që e luan ndeshjen e tij 4 orë më herët ndaj Getafes, kampionëve nuk u falet asnjë hap fals në “Camp Nou”, pasi distanca aktuale me madrilenët është në +7

Bundesliga, Mario Gomez sa i gjithë Hamburgu

Formacioni i Bayerm Mynih vlen sa 5-fishi i Hamburgut. Vetëm sulmuesi i tyre Mario Gomez kushton sa i gjithë klubi verior.

Vlera totale e formacionit të Hamburgut kushton 48.3 milionë euro, ndërsa ajo e bavarezëve shkon në 306 milionë euro. Vetëm Gomezi kushton 42 milionë euro me merkaton aktuale.

Trajneri Hejnkes nuk ka pësuar asnjë humbje ndaj Hamburgut. Që prej shtatorit 1991 (0-1), Hejnkesi qëndron pa humbje ndaj veriorëve. Teksa në tri ndeshjet e fundit kanë fituar, bilanci i përgjithshëm për bavarezët është: 54 fitore, 19 humbje dhe 20 barazime, ndërsa në transfertë: 20 fitore, 12 barazime dhe 14 humbje. Hamburgu është ekipi më i dobët për rekordmenët, ndaj të cilëve ka shënuar 196 gola.