Saturday, February 4, 2012

Plas te Lazio, sherr mes Reja-Tare dhe Lotito

Antonio Candreva dhe Emiliano Alfaro: këta janë lojtarët e vetëm që kanë ardhur te Lazio gjatë merkatos së janarit. Është e vështirë të thuash që një trajner të mbetet i kënaqur me një fushatë të tillë blerjesh. E njëjta gjë vlen edhe për Edi Rejën, i cili është ankuar publikisht për manovrat e kursimit nga ana e shoqërisë.

Ndoshta vëmendja e drejtuesve është përqendruar shumë tek objektivat, për të cilat ishin thuajse të sigurt që nuk do realizoheshin. Lotito dhe Tare kanë provuar që të merrnin Hondën, Krasiç e Nilmar, por si përfundim nuk ia arritën qëllimit.

Reja, nga ana tjetër, ka kërkuar vetëm 2 lojtarë, një sulmues e një mesfushor, dhe me të drejtë, pas largimit të Cisse e Skulit. Kaq ka mjaftuar që të fillojnë krisjet brenda shoqërisë bardhekaltër dhe të përhapen thashetheme sipas të cilave Reja është drejt largimit në fund të sezonit.

Menaxheri i Kloses, Aleksander Shut, ka saktësuar se nuk ka asnjë krisje mes sulmuesit gjerman dhe shoqërisë së Lotitos: “Mes Kloses dhe Tares nuk ka pasur asnjë grindje, janë shpifje të tëra. Miroslav nuk ka luajtur për shkak të shqetësimit në këmbë”, deklaroi ai.