Saturday, February 4, 2012

Milito: Më parë jashtë, tani gol

Katër gola ndaj Palermos dhe bëhen nëntë gola në gjashtë ndeshjet e fundit të kampionatit për sulmuesin e Interit, Diego Milito.

“E thoja kur gjërat nuk shkonin mirë dhe po e them sërish tani: janë momente që i kalojnë të gjithë sulmuesit në botë. Duhet të qëndrosh i qetë dhe të vazhdosh punën. Unë luaj siç kam bërë gjithmonë, por ata topa që më parë përfundonin jashtë apo në traversë tashmë përfundojnë në rrjetë”, shprehet Milito për ‘Inter Channel’.

Më pas, argjentinasi kthehet të flasë për pokerin e golave ndaj Palermos në ndeshjen që zikaltërit barazuan 4-4 në San Siro.

“Të shënosh 4 gola në një takim është shumë e vështirë, janë ndeshje ku gjithçka të del mirë. Gjithsesi, rezultati nuk ishte i mirë për skuadrën dhe më vjen shumë keq sepse të bësh 4 gola dhe sërish të mos fitosh…”, shtoi Milito.

Mourinho drejt Chelsea, tërheq me vete dhe Ibrahimoviç

Rrugët e Jose Mourinho me skuadrën e Chelsea-t mund të ribashkohen, por gjithashtu edhe ato mes portugezit dhe Zlatan Ibrahimoviçit. Aktualisht trajneri nga Setubali udhëheq dhe kryeson me Realin e Madridit në kampionatin spanjoll, por mesa duket i gjithë ambienti madrilen (klubi dhe tifozeria) nuk gëzojnë më të njëjtën simpati për “Special One”.

Ironia e vazhdueshme e Mourinho po shndërrohet shumë shpejt në një antipati të madhe, e cila jo vetëm po i përçan futbollistët e Realit, por çdo ditë e më shumë po i largon tifozët nga stadiumi. Duke kuptuar që situata është rënduar ndjeshëm, portugezi ka bërë gati planin e radhës për të “rrëshqitur” diku tjetër dhe destinacioni i preferuar, ashtu siç nuk e ka fshehur kurrë, është Chelsea i Roman Abramoviç.

Këtë fakt e ka pranuar në një intervistë të djeshme për anglezen “The Sun” një burim i afërt i trajnerit portugez, i cili ka dashur të ruajë anonimatin e tij. Sipas tij, Mourinho tashmë ka pasur edhe kontaktet e para me miliarderin rus të skuadrës londineze, e cila gjithashtu nuk po kalon një sezon pozitiv dhe është gjithmonë e më shumë e lodhur nga sozia e tij, Andre Villas Boas. Pas shumë shpenzimeve dhe emrash të ndryshëm në vitet e fundit, Roman Abramoviç po mendon të kthehet në origjinë, të ribashkohet me Jose Mourinho, ai që riktheu Blutë e Londrës në elitë dhe te titulli i Premier League pas 50 vitesh.

Me pak fjalë, pas 4 vitesh e gjysmë Special One dhe Chelsea pritet të përqafojnë njëritjetrin dhe të ndërtojnë nga e para një skuadër fituese, e cila energjitë e saj të fundit i shpenzoi nën drejtimin e Carlo Ancelotti. Por, trajneri aktual i Realit nuk ka ndërmend të bëjë një rikthim dosido, por si gjithmonë të zhurmshëm, të bujshëm.

Ylli i parë që ai kërkon t’i shtojë kësaj skuadre, është as më shumë e as më pak se Zlatan Ibrahimoviç. Po, pikërisht kështu, sulmuesi gjigand i Milanit, i cili ka nisur të bëjë kapriçot e radhës në Milano, pas humbjes në kampionat kundër Lazios

Plas te Lazio, sherr mes Reja-Tare dhe Lotito

Antonio Candreva dhe Emiliano Alfaro: këta janë lojtarët e vetëm që kanë ardhur te Lazio gjatë merkatos së janarit. Është e vështirë të thuash që një trajner të mbetet i kënaqur me një fushatë të tillë blerjesh. E njëjta gjë vlen edhe për Edi Rejën, i cili është ankuar publikisht për manovrat e kursimit nga ana e shoqërisë.

Ndoshta vëmendja e drejtuesve është përqendruar shumë tek objektivat, për të cilat ishin thuajse të sigurt që nuk do realizoheshin. Lotito dhe Tare kanë provuar që të merrnin Hondën, Krasiç e Nilmar, por si përfundim nuk ia arritën qëllimit.

Reja, nga ana tjetër, ka kërkuar vetëm 2 lojtarë, një sulmues e një mesfushor, dhe me të drejtë, pas largimit të Cisse e Skulit. Kaq ka mjaftuar që të fillojnë krisjet brenda shoqërisë bardhekaltër dhe të përhapen thashetheme sipas të cilave Reja është drejt largimit në fund të sezonit.

Menaxheri i Kloses, Aleksander Shut, ka saktësuar se nuk ka asnjë krisje mes sulmuesit gjerman dhe shoqërisë së Lotitos: “Mes Kloses dhe Tares nuk ka pasur asnjë grindje, janë shpifje të tëra. Miroslav nuk ka luajtur për shkak të shqetësimit në këmbë”, deklaroi ai.