Thursday, November 24, 2011

Fatos Beqiraj: Golin ndaj Realit do ta kujtoj gjatë

Goli i parë i Fatos Beqirajt në fazën e grupeve të Champions League-s nuk kishte ndonjë vlerë të madhe për Dinamon e Zagrebit. Ai vetëm sa “zbuti” humbjen e thellë nga Reali i Madridit. Por, për sulmuesin kosovar goli i shënuar të martën në "Santiago Bernabeu" ka domethënie të madhe. Beqiraj thotë se do ta kujtojë gjatë atë gol. 

Sulmuesi pejan shënoi në të 81’, duke çuar rezultatin teknik 6-1. Lojtari i Dinamos realizoi me kokë, duke shfrytëzuar një krosim nga krahu i majtë. Reali e fitoi ndeshjen me rezultatin 6-2. Beqiraj kundër Realit shënoi golin e tij të parë në fazën e grupeve të Champions. Por, edhe për Realin ky ishte goli i parë i pësuar në këtë fazë."Do të ishte shumë më mirë sikur të shënoja në një ndeshje që do të kishte rezultat tjetër. Megjithatë, edhe pse humbëm 6-2 goli i shënuar ka domethënie të madhe për mua dhe për karrierën time. 

Është goli i parë i shënuar në këtë fazë. Të shënosh golin e parë kundër Realit dhe atë në stadiumin legjendar “Santiago Bernabeu”, nuk është pak. Golin që shënova kundër Realit do ta kujtoj gjatë", ka thënë Beqiraj të mërkurën për gazetën "Sport Ekspres" nëpërmjet telefonit