Saturday, September 3, 2011

Puyol pranë rikthimit ndaj Milanit

Carles Puyol, kapiteni i Barcelonës, mund të rikthehet të luajë sërish në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve, më 13 shtator ndaj Milanit. Mbrojtësi i qendrës duket se i ka kaluar përfundimisht problemet me gjurin e majtë, të cilat kanë filluar që në muajin janar dhe e kanë penguar spanjollin të jetë rregullisht në fushë. Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, do ta grumbullojë kapitenin për ndeshjen e ardhshme të kampionatit spanjoll ndaj Real Sociedad, por vështirë se Puyol mund të luajë këtë takim. Rikthimi i tij pritet në Camp Nou, të martën e 13 shtatorit, kur Barcelona do të përballet me Milanin në ndeshjen e parë të fazës së grupeve. Carles Puyol është operuar në gju në datën 1 qershor, disa ditë pas finales së Wembley të Ligës së Kampioneve, ku ekipi i Barcelonës triumfoi ndaj Manchester United.