Wednesday, August 10, 2011

Në Bernabeu për fitore


Mesfushori spanjoll, Andres Iniesta, thotë se Barcelona do të hyjë për fitore në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës kundër Real Madridit, e cila zhvillohet në fundjavë, në stadiumin Santiago Bernabeu.

Kampioni spanjoll nuk e pati një fazë përgatitore të mirë. Ky ekip fitoi vetëm dy takime, ndaj Bayern Munich dhe Club Americas. Barça barazoi me Hajduk Split e Internacional, para se të humbte nga Manchester United dhe Chivas Guadalajara.

Për dallim nga rivalët historikë, Real Madridi pati një fazë fantastike para-sezonale duke i fituar të gjitha ndeshjes. Sidoqoftë, Iniesta beson se një fitore në Madrid do t’i jepte avantazh ekipit të tij, për lojën e kthimit.

"Shpresoj që Superkupa e Spanjës këtë vit të mos jetë si sezonin që shkoi. Ne dëshirojmë të kemi paraqitje të mirë në ndeshjen e parë, kështu që më pas do ta kishim më lehtë në takimin vendimtar".

"Nuk po mendojmë për humbje në Bernabeu. Dëshirojmë të fitojmë në duelin e parë. Kemi punuar fort për t′u përgatitur për këtë lojë. Jemi të motivuar për ta fituar trofeun e parë të sezonit dhe po shkojmë atje për fitore", theksoi Iniesta për Il Mundo Deportivo.