Antonio Candreva dhe Emiliano Alfaro: këta janë lojtarët e vetëm që kanë
ardhur te Lazio gjatë merkatos së janarit. Është e vështirë të thuash
që një trajner të mbetet i kënaqur me një fushatë të tillë blerjesh. E
njëjta gjë vlen edhe për Edi Rejën, i cili është ankuar publikisht për
manovrat e kursimit nga ana e shoqërisë.
Ndoshta vëmendja e drejtuesve është përqendruar shumë tek
objektivat, për të cilat ishin thuajse të sigurt që nuk do
realizoheshin. Lotito dhe Tare kanë provuar që të merrnin Hondën, Krasiç
e Nilmar, por si përfundim nuk ia arritën qëllimit.
Reja, nga ana tjetër, ka kërkuar vetëm 2 lojtarë, një sulmues e një
mesfushor, dhe me të drejtë, pas largimit të Cisse e Skulit. Kaq ka
mjaftuar që të fillojnë krisjet brenda shoqërisë bardhekaltër dhe të
përhapen thashetheme sipas të cilave Reja është drejt largimit në fund
të sezonit.
Menaxheri i Kloses, Aleksander Shut, ka saktësuar se nuk ka asnjë
krisje mes sulmuesit gjerman dhe shoqërisë së Lotitos: “Mes Kloses dhe
Tares nuk ka pasur asnjë grindje, janë shpifje të tëra. Miroslav nuk ka
luajtur për shkak të shqetësimit në këmbë”, deklaroi ai.