Rrugët e Jose Mourinho me skuadrën e Chelsea-t mund të ribashkohen, por
gjithashtu edhe ato mes portugezit dhe Zlatan Ibrahimoviçit. Aktualisht
trajneri nga Setubali udhëheq dhe kryeson me Realin e Madridit në
kampionatin spanjoll, por mesa duket i gjithë ambienti madrilen (klubi
dhe tifozeria) nuk gëzojnë më të njëjtën simpati për “Special One”.
Ironia e vazhdueshme e Mourinho po shndërrohet shumë shpejt në një
antipati të madhe, e cila jo vetëm po i përçan futbollistët e Realit,
por çdo ditë e më shumë po i largon tifozët nga stadiumi. Duke kuptuar
që situata është rënduar ndjeshëm, portugezi ka bërë gati planin e
radhës për të “rrëshqitur” diku tjetër dhe destinacioni i preferuar,
ashtu siç nuk e ka fshehur kurrë, është Chelsea i Roman Abramoviç.
Këtë fakt e ka pranuar në një intervistë të djeshme për anglezen
“The Sun” një burim i afërt i trajnerit portugez, i cili ka dashur të
ruajë anonimatin e tij. Sipas tij, Mourinho tashmë ka pasur edhe
kontaktet e para me miliarderin rus të skuadrës londineze, e cila
gjithashtu nuk po kalon një sezon pozitiv dhe është gjithmonë e më shumë
e lodhur nga sozia e tij, Andre Villas Boas. Pas shumë shpenzimeve dhe
emrash të ndryshëm në vitet e fundit, Roman Abramoviç po mendon të
kthehet në origjinë, të ribashkohet me Jose Mourinho, ai që riktheu
Blutë e Londrës në elitë dhe te titulli i Premier League pas 50 vitesh.
Me pak fjalë, pas 4 vitesh e gjysmë Special One dhe Chelsea pritet
të përqafojnë njëritjetrin dhe të ndërtojnë nga e para një skuadër
fituese, e cila energjitë e saj të fundit i shpenzoi nën drejtimin e
Carlo Ancelotti. Por, trajneri aktual i Realit nuk ka ndërmend të bëjë
një rikthim dosido, por si gjithmonë të zhurmshëm, të bujshëm.
Ylli i parë që ai kërkon t’i shtojë kësaj skuadre, është as më shumë
e as më pak se Zlatan Ibrahimoviç. Po, pikërisht kështu, sulmuesi
gjigand i Milanit, i cili ka nisur të bëjë kapriçot e radhës në Milano,
pas humbjes në kampionat kundër Lazios