Brisbane Roar kanë ruajtur shpresat për të mbetur në garën për titullin
kampion në Australi, pasi ka mundur 2-0 kryesuesit e Mariners, në fushën
e këtij të fundit. Protagonist i takimit ka qenë përsëri kosovari
Besart Berisha, i kthyer nga pezullimi 1-javor, që i dha Federata
Australiane.
Sulmuesi shqiptar ka qenë autori i golit të dytë për skuadrën e tij,
duke e ndihmuar që të marrë suksesin, i cili e mban Birsbane Roar në
vendin e tretë të kampionatit. Pas momentit të vështirë të javëve të
fundit, Berisha e ka festuar golin duke përqafuar trajneri Ante
Postecoglu.
Ky i fundit e ka mbrojtur atë gjatë kësaj periudhe dhe ka deklaruar
shpesh se futbollisti shqiptar është sulmuesi më i mirë, që ka stërvitur
ndonjëherë, ndërsa të gjitha shanset që ka ekipi për të rifituar
titullin varen nga forma e ish-futbollistit të kombëares shqiptare.
Për Berishën, ky ishte goli i 12-të i këtij kampionati, duke
vazhduar të qëndrojë i vetëm në kryesimin e renditjes së golashënuesve.
Ndonëse ai po kalon një formë të shkëlqyer këtë sezon, në Kampionatin
Australian, është lënë në harresë nga FSHF-ja, e cila prej kohësh nuk e
merr në konsideratë grumbullimin e tij me fanellën kuqezi.