Tuesday, July 5, 2011

Gjithçka zyrtare Cana tek Lazio


Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë Lorik Cana të hënën i ka dhënë lamtumirën Galatasarayt. Ai tha se po largohet kokëlartë nga skuadra turke, të cilin nuk do ta harrojë asnjëherë.

Pas aventurave në Francë, Angli e Turqi, Lorik Cana karrierën do ta vazhdojë në Itali. Reprezentuesi i Shqipërisë të hënën i ka dhënë lamtumirën e fundit gjigantit turk Galatasaray, për t′u transferuar te ekipi italian Lazio.

Lorik Cana tha se nga Stambolli po largohet i lumtur, derisa foli si futbollisti i Lazios, edhe pse ende nuk ka nënshkruar kontratë me klubin nga Serie A.

"Largohem i lumtur sepse më pret një sfidë e madhe në Lazio. Të kaloj në një klub të ri është gjithnjë gjë e mirë. Në sezonin e fundit kam luajtur mirë, por sezonin e ri shpresoj të paraqitem edhe më mirë", ka thënë Cana për mediat turke të hënën.

Ish futbollisti i Marseilles dhe i Sunderlandit ka arritur marrëveshje me klubin romak, por sot pritet ta finalizojë atë. Sipas mediave italiane, 27 vjeçari pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare, derisa pritet të përfitojë nga 1.8 milionë euro në vit.

"Babai dhe agjentiu im kanë takuar drejtuesit e Lazios dhe së bashku kemi vendosur ta pranojmë ofertën e klubit romak. Lazio është klub i madh me tifozë të shkëlqyeshëm", ka theksuar Cana.

"Sezonin e ardhshëm do të luaj në Europa Ligë e po ashtu dua të provoj emocionet e Serie A. Tash do të jem më afër Kombëtares, vendit dhe familjes time dhe kjo është një gjë shumë e mirë", shtoi ai. /